Bashkëpunim me Labex Milyon -- Mundësi për studentët e Departamentit të matematikës

Laboratori për përsosmëri në matematikë e informatikë në Lyon (Labex Milyon: http://milyon.universite-lyon.fr/) nga shkurti 2016 do ta zhvillojë një program bashkëpunimi në matematikë me studentët e Departamentit tonë.

Duke filluar nga shkurti 2016, disa herë në vit do të vijnë studentë të avancuar të doktoraturës nga Lyon (dhe Parisi) për të mbajtur seminare intensive (4 ditore - e premte - e hënë).

Studentët që tregojnë suksese të larta do të kenë mundësi t'i vazhdojnë studimet në Lyon. (Natyrisht, studentët e suksesshëm do të kenë gjasa më të mëdha për të studiuar edhe në universitete tjera.)

Programi është i hapur për studentët e viteve të dyta dhe më lartë në të tri drejtimet (matematikë, shkencë kompjuterike dhe matematikë financiare), por programi do të fokusohet në matematikë. Numri i studentëve që përzgjidhen do të jetë jo më i madh se 12. Programi zhvillohet në anglisht.

Nëse jeni i/e interesuar të merrni pjesë, atëherë ju lutem më kontaktoni përmes emailit (@uni-pr.edu), deri më 6 nëntor në orën 16:00, me subjekt të letrës Labex Milyon - Animath 2016. Ju lutem që të ma dërgoni një CV, letër motivuese (jo më të gjatë se 500 fjalë) dhe certifikatën e notave.

Studentët do të përzgjidhen në bazë të dosjeve të tyre dhe një testi që do të mbahet në fund të nëntorit. Vetëm kandidatët e përzgjedhur për test do të informohen për datën e saktë.

Programi do të jetë sfidues dhe kërkon punë sistematike dhe serioze nga ju. Anasjelltas, nëse investoni mjaftueshëm kohë dhe energji, do të keni sukses dhe do të kaloni kohë të mirë me kolegët tuaj nga Kosova dhe Franca.

Qëndrim R. Gashi

Informacioni i mësipërm në dokument pdf: këtu .

web statistics